Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare (RRBDSH), dega qendrore, i themeluar me iniciativën e Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës, angazhohet për mbështetjen dhe bashkërendimin e aktiviteteve në funksion të zhvillimit të bizneseve shqiptare dhe orientimin e investimeve të tyre, me prioritet në trojet shqiptare, gjithmonë duke pasur parasysh arsyeshmërinë ekonomike të tyre.
Projekti i krijimit të RRBDSH me bazë në Norvegji vjen si inspirim nga potenciali global i kapitalit financiar e njerëzor i shqiptarëve dhe mundësive që krijohen nga sinergjia e bashkëpunimi i tyre në funksion të rritjes së qëndrueshme.
Misioni & strategjia
Misioni strategjik i RRBDSH është të krijojë rrjetëzim sinergjik, bashkërenditje dhe bashkëveprim në shfrytëzimin dhe alokimin sa më efikas dhe eficient të resurseve kapitale, njerëzore, tekniko-teknologjike, të ideve, inovacioneve, dijeve, informacioneve dhe formave tjera të bashkëpunimit në drejtim të rritjes së bizneseve të anëtarëve dhe orientimin e tyre me prioritet në trojet shqiptare, gjithnjë në bazë të kritereve të arsyeshmërisë ekonomike.
Një ndër synimet tona kryesore është të shndërrohemi në një partner të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës, asaj të Shqipërisë dhe të trevave të tjera shqiptare, duke shërbyer edhe si mekanizëm shtytës për ndryshim, përshtatje dhe përmirësim të politikave ekonomike, të praktikave administrative dhe burokratike, sundimit të ligjit si dhe siguri për investimet nga shtetet tona.
Qëllimi & shpresat tona
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare me degë qendrore në Norvegji është organizatë e cila mundëson ndërlidhjen e bizneseve shqiptare anekënd diasporës. Qëllimi ishte të ndërtohet një platformë për shkëmbim të ideve, aftësive dhe kompetencave që promovojnë interesat e shqiptarëve në Norvegji, dhe kontribuojnë për zhvillimin politik, ekonomik e shoqëror në komunitetin tonë.
Ne u nisëm nga fakti që shqiptarët anekënd kanë bërë projekte të fuqishme individuale në fushën e ndërmarrësisë brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Krijimi i kushteve që bizneset nga diaspora shqiptare të investojnë në trevat shqiptare, por të kontribuojnë që edhe partnerët e tyre të huaj të investojnë në këto treva. Qëllimi kryesor i kësaj organizate është rritja e mirëqenies së shqiptarëve kudo që jetojnë.